Shtatëzania

Menaxhimi i simptomave normale gjatë shtatzanisë

30 Shtator, 2020

 Shtatzania është një periudhë shumë e bukur, por që mund të shoqërohet me shqetësime apo simptoma të ndryshme. Ky blog ka për qëllim që t’ju informojë ju në lidhje me disa nga simptomat normale  që mund të hasni gjatë periudhës së shtatzanisë dhe mënyrën sesi mund t’i menaxhoni ato.

  • Nausea dhe të vjellat në shtatzëninë e hershme

Nausea dhe të vjellat gjatë shtatzënisë është një gjendje e zakonshme që ndikon mbi shëndetin e tuaj dhe të fetusit tuaj. Nausea është simptoma më e zakonshme gastro-intestinale gjatë shtatzënisë, që ndodh në 80-85% të të gjitha shtatzënive gjatë tremujorit të parë. Të përzierat dhe të vjellat janë të zakonshme në shtatzëninë e hershme (java 6-16-të). Simptomat janë zakonisht më të rënduara gjatë javës së 9-10-të.

  • Ju duhet të jeni të informuara se në shumicën e rasteve shtatzania shoqërohet me të përziera dhe të vjella, kjo zgjidhet në mënyrë spontane brenda 16-20 javësh të shtatzënisë. Nëse ju do të kërkonit ose do të donit ndonjë trajtim, përdorimi i xhinxhërfillit   (i vetmi bar popullor që ndikon në pakësimin e nauseas dhe të vjellave, mund të merret në formën e gjallë si bimë në formë çaji) mund të jetë efektiv në reduktimin e simptomave.
  • Urthi (thartira në stomak)

Urthi është përshkruar si një ndjesi djegie apo sikleti, që ndihet pas kafazit të kraharorit ose në fyt, apo të dyja. Ai mund të shoqërohet me regurgitacion, kur acidi arrin në fyt apo gojë, duke shkaktuar një shije të hidhur apo të thartë në gojë. Shfaqet në 30-50% të grave shtatzëna. Mund të shfaqet herët në tremujorin e tretë të shtatzënisë. Gjithashtu edhe fëmija duke u rritur shtyp gjithmonë më shumë mbi stomak dhe kjo  mund t’ju japë urth. Urthi nuk është i lidhur me rezultate negative të shtatzënisë dhe për këtë arsye trajtimi i tij ka për qëllim më shumë të ofrojë lehtësim të simptomave sesa të parandalojë dëmtimet e fetusit, ose tuajin.

  • Nëse ju paraqitni simptomat e lidhura me urthin në shtatzani duhet tu ofrohet informacion dhe këshilla në lidhje me stilin e jetës dhe ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes, apo dietës. Grave të cilat kanë ndryshuar stilin e jetës dhe mënyrën e ushqyerjes, apo dietës dhe sërish nuk kanë përmirësime mund tu jepen barna antacide.
  • Konstipacioni

Konstipacioni është vonesa në kalimin e mbetjeve të ushqimit, i shoqëruar me defekim të dhimbshëm dhe shqetësime abdominale. Konstipacioni gjatë shtatzënisë mund të jetë i lidhur me rritje të nivelit të progesteronit që ndikon në pakësimin e lëvizjes së zorrëve duke shkaktuar një pakësim në motorikën e stomakut, duke rritur kohën e tranzitit të ushqimit dhe me ushqyerje të varfër në fibra. Gjithashtu me ecurinë e shtatzënisë, rritet uterusi që fillon të ushtroj një shtypje mbi zorrët dhe mund të shtojë edhe më shumë kapsllëkun. Po kështu, kapsllëku mund të ndikohet edhe nga marrja e hekurit gjatë shtatzënisë. Arsye te tjera të mundshme mund të jenë marrje e pakët e fibrave me ushqime, pakësimi i aktivitetit fizik, rritja e thithjes të ujit në zorrë, stresi dhe ankthi. Marrja e pakët e lëngjeve është lidhur me konstipacion në shtatzëni veçanërisht në tremujorin e tretë.

Nëse ju keni shqetësime në jashtëqitje (kapsllëk) në shtatzëni duhet tu ofrohet informacion dhe këshilla në lidhje me ndryshimin e dietës, duke e pasuruar me ushqime që kanë përmbajtje të lartë në grurë, ose fibra, shtuar pirjen e ujit, kryerja e aktiviteteve të lehta fizike etj…

  • Hemorroidet

Hemorroidet janë fryrje të venave rreth anusit që janë të karakterizuara nga gjakrrjedhje anorektale, dhimbje dhe kruajtje anale. Zakonisht mund të ndodhin në tremujorin e dytë dhe të tretë të shtatzënisë. Një dietë e varfër me fibra dhe shtatzënia janë dy faktorë favorizues për hemorroidet. Rreth1/3 e grave shtatzënë ankohen për hemorroide si rrjedhojë e disa faktorëve si: sforcimi gjatë defekimit, 30% rritje e vëllimit të gjakut, relaksimi muskulaturës së lëmuar nga veprimi progesteronit dhe rritja e presionit intraabdominal nga rritja e uterusit.

Gjatë shtatzanisë është e rëndësishme që ju të merrni informacion dhe këshilla, në lidhje me ndryshimin e dietës, në mungesë të provave dhe efektivitetit të trajtimeve për hemorroide. Nëse simptomat klinike mbeten të pandryshueshme pavarësisht ndryshimit të dietës, duhet të merret parasysh përdorimi i kremit kundër majasëllit.

  • Venat varikoze

Venat varikoze shkaktohen nga grumbullimi i gjakut në venat  sipërfaqësore si rezultat i valvulave jo efikase që normalisht parandalojnë gjakun e tepërt të rikthehet përsëri poshtë. Ato mund të duken si vena ngjyrë blu të fryra mbi kyçe dhe në brendësi të gjymtyrëve të poshtme, mund të shkaktojë kruarje dhe bezdisje të përgjithshme dhe këmbët dhe kyçet mund të fryhen. Ato janë një ankesë e zakonshme në shtatzëni. Venat varikoze kanë tendencë të jenë të trashëguara: gjyshja, nëna mund të kenë pasur vena varikoze gjatë shtatzënisë.

Ju  duhet të jeni të informuara se venat me varice janë një simptomë e zakonshme e shtatzënisë që nuk do të shkaktojë dëm dhe të këshillohen se kompresat mund të përmirësojnë simptomat, por nuk do të parandalojnë varicet.

  • Rrjedhjet vaginale

Cilësia dhe sasia e sekrecioneve vaginale shpesh ndryshon në  shtatzëni. Gratë zakonisht prodhojnë sekrecione më shumë gjatë shtatzënisë. Nëse sekrecionet kanë një erë të fortë, apo të pakëndshme, janë të shoqëruara me kruarje ose djegie, apo shoqërohen me dhimbje gjatë urinimit, gruaja mund të ketë Vaginozë bakteriale, Trikomoniazë, apo Kandidozë vaginale. Megjithatë, sekrecionet vaginale mund të shkaktohen nga një sërë kushtesh të tjera fiziologjike, ose patologjike, të tilla si: dermatozis vulvaris, ose reaksione alergjike.

Ju duhet të jeni të informuara se rritja e sekrecioneve vaginale është një ndryshim i zakonshëm fiziologjik që ndodh gjatë shtatzënisë dhe ju këshillojmë  se nëse kjo është e shoqëruar me kruarje, dhimbje, aromë të rëndë, ose dhimbje gjatë urinimit, duhet të vizitohen sepse mund të jetë i pranishëm ndonjë infeksion.

Dhimbja e shpinës

Përkufizimi i dhimbjes së shpinës gjatë shtatzënisë është subjektiv, për shkak të natyrës së këtij shqetësimi. Më shpesh raportohet fillimi i dhimbjes së shpinës gjatë muajve të 5-7 të shtatzënisë. Është raportuar gjithashtu se simptomat përkeqësohen në mbrëmje. Dhimbja e shpinës gjatë shtatzënisë mendohet se ka lidhje me një qëndrim trupi të ndryshuar për shkak të peshës në rritje në mitër dhe lëshimit në rritje të muskujve mbështetës, si rezultat i hormonit të relaksinës. Dhimbja e shpinës gjatë shtatzënisë mund të ketë një farë ndikimi tek gruaja, pasi ajo mund të ndërhyjë me aktivitetet e përditshme të një gruaje dhe gjumin, sidomos gjatë tremujorit të tretë.

Ju informojmë dhe ju këshillojmë se ushtrimet në ujë, masazhi dhe terapia në grup, apo kurset individuale të kujdesit për shpinën mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes së shpinës gjatë shtatzënisë.

Referencat:

Materiali në këtë artikull është përshtatur nga “Udhërrëfyes i praktikës klinike-Kujdesi antenatal në kujdesin shëndetësor parësor” botuar nga Ministria e Shëndetësise dhe Mirëqenies Sociale me mbeshtetjen e UNICEF (2014)

Postime te Ngjashme

Common phrases by theidioms.com

error: Ju lutem mbeshtesni blogun duke shperndare postimet, jo duke i kopjuar ato!
Krijuar nga iDev.al